Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot Kuvendin e Lezhës në 580-vjetorin e tij, si një nga organizimet më të suksesshme në historinë e popullit shqiptar.
Ai ka thënë se Kuvendi i Lezhës ofron shembullin se si jetësimi i idealeve politike, mbrojtja e vendit dhe e popullit, bëhen të mundura kur jemi të bashkuar dhe kur lidhemi me aleatë në aleanca të drejta.
Postimi i plotë:
Në historinë politike të paraardhësve tanë, 2 marsi i vitit 1444 është data kur shenjohet një nga organizimet përbashkuese më të hershme dhe më të suksesshme ndër ne: Kuvendi i Lezhës! Sot u bënë 580 vite nga atëherë.
580 vjet nga Besëlidhja e Lezhës • KosovaPress
Në këtë situatë gjeopolitike, Skënderbeu i priu një lëvizje për bashkimin e forcave ushtarake të fisnikëve arbër, përballë fushatave pushtuese të Perandorisë Osmane. Për t’i çuar mesazh Republikës së Venedikut që nuk kishin asgjë kundër saj dhe për të shmangur animet mes tyre, fisnikët u mblodhën në Lezhë, që në atë kohë ndodhej nën zotërim venedikas. Nën drejtimin e Skënderbeut, më 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës u mblodhën Gjergj Arianit Komneni, Andre Topia me dy bijtë Komnenin dhe Muzakën dhe nipin Tanushin; Lekë Zaharia; Nikollë dhe Pal Dukagjini, Lekë dhe Pjetër Dushmani; Pjetër Spani, Stefan Gjurashi etj.
Kuvendi i Lezhës është monumentalizuar edhe në veprën murale "Kuvendi i Lexhës", i punuar nga artisti Bashkim Zano Ahmeti, që ishte përuruar më 1 nëntor 1982, në Muzeun e Skënderbeut në Krujë.
Historia e Kuvendit të Lezhës dhe trashëgimia politike e tij, na ofron shembullin se si jetësimi i idealeve politike, mbrojtja e vendit dhe e popullit, bëhen të mundura kur jemi të bashkuar dhe kur lidhemi me aleatë në aleanca të drejta. Sepse politika është e pashkëputshme nga historia dhe sepse aleancat ushtarake dhe politike janë trajta më sipërane të politikë-bërjes.