Kush po fiton luftën Virtuale Ukrainë-Rusi?
Lexohet për: 9 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Lufta midis Ukrainës dhe Rusisë nuk po zhvillohet vetëm në tokë, në ajër,në det, në qytete e zona rurale të Ukrainës, palët po zhvillojnë një luftë intensive virtuale edhe në rrjete sociale.

Shpejtësia dhe intensiteti i përhapjes së imazheve që pretendohet se i përkasin konflikteve në platformat e qarkullimit është shumë dhe përtej çdo gjëje që bota ka përjetuar ndonjëherë në lidhje me një luftë. Kjo kulmon me pamjet genocidale nga qyteti i Buchas edhe pse këto pamje kanë prekur thellësishtë zemrat e njerzve në çdo vend të botës, po aq shërbyen për ti treguar njerzimit mizoritë e harruara të luftës, rëndësinë e paqes dhe fytyrën e vërtetë të delirit të madhështisë së Putin e në përkufizimin përfundimtar se çfarë po vuan populli i pafajshëm ukrainas.

Ekspertët thonë se si asnjëherë më parë po zhvillohet egërishtë “Lufta në mediat sociale” dhe të dyja vendet kanë aktivizuar ushtritë e tyre të rrjeteve sociale për një aktivitet intensiv propagandistik.

Aftësia e Ukrainës dhe Rusisë për të përdorur mediat sociale si një teknikë efektive të luftës informative, natyrisht, ka efekt prej aksesit të lehtë,thjeshtë, shpejtë dhe të njëkohshëm të të gjithëve në mundësitë e mediave sociale.

Për më tepër, është e qartë se struktura e mediave sociale, e cila mund të aksesohet në një kohë shumë të shkurtër, është e jashtëzakonshme, efektive dhe nuk ka kufij gjeografikë.

Nëse e shqyrtojmë më hollësisht;

Propaganda në rrjetet sociale është interesante, tërheqëse dhe më e kuptueshme.

Informacioni i transmetuar përmes mediave sociale është fleksibël dhe mund të rishikohet vazhdimisht sipas nevojave.

Nëpërmjet mediave sociale, informacioni i dëshiruar mund t'i drejtohet audiencës së synuar lehtë, shpejt, njëkohësisht dhe në një kohë shumë të shkurtër.

Mundësitë që ofrojnë aplikacionet e mediave sociale janë në një strukturë që nuk njeh kufij gjeografikë.

Karakteristikat e softuerit të koduar të aplikacioneve të mediave sociale lejojnë përdoruesit e tyre të fshehin lehtësisht identitetin e tyre.

Fituesi i luftës së mediave sociale.

Është e diskutueshme se kush e fitoi luftën në fushë, por kur shikojmë se çfarë ka ndodhur deri më tani, mund të thuhet se Ukraina është fituesja e luftës në arenën e mediave sociale.

Ka arsye të ndryshme për këtë situatë, por më e rëndësishmja është opinioni publik botëror për këtë luftë që nga fillimi i konfliktit. Ai mendon se Rusia është agresori dhe Ukraina është pala e shtypur. Ky mendim bazohet në baza realiste. Sepse, sipas ligjit ndërkombëtar, arsyet ligjore për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës janë shumë të dobëta.

Një avantazh tjetër i Ukrainës në luftën e mediave sociale është se një pjesë e konsiderueshme e platformave të mediave sociale dhe faqeve të shkëmbimit të videove ku kryhen aktivitetet e lartpërmendura propagandistike kontrollohen nga kompani globale me origjinë nga Shtetet e Bashkuara (SHBA). Në këtë drejtim, kompanitë në fjalë mbështesin grupet dhe llogaritë që bëjnë postime në favor të Ukrainës, ndërsa censurojnë llogaritë dhe individët që shpërndajnë postime në favor të Rusisë.

Duhet thënë gjithashtu se strategjia propagandistike e ndjekur nga Ukraina është më e saktë. Për shembull, postimet që përmbajnë elemente mbresëlënëse humanitare si "ushtarët rusë që u kapën nga Ukraina duke telefonuar me video nënat e tyre" konsoliduan opinionin publik të ishte tashmë pa asnjë mëdyshje në favor të Ukrainës qysh në fillim të ndërhyrjes ruse.

Nuk është e vështirë të merret me mend se vendet anëtare të NATO-s mbështetën Ukrainën në përcaktimin e kësaj strategjie efektive propagandistike.

Kush po e humb luftën në mediat sociale?

Strategjia e propagandës së zezë e ndjekur nga Rusia është mjaft klasike dhe kujton gjuhën akuzuese dhe gërryese të periudhës së Luftës së Ftohtë. Pretendimet ruse se "neo-nazistët sundojnë Ukrainën ose janë të varur nga droga në një pozicion vendimmarrës në shtetin ukrainas" në përgjithësi nuk u gjetën bindëse në sytë e publikut ndërkombëtar.

Strategjia propagandistike e ndjekur nga Rusia ishte pothuajse e burgosur brenda kufijve të vendit të saj. Arsyeja më e rëndësishme për këtë situatë është përdorimi i kufizuar i platformave të tilla si VK e Rusisë, Ok.ru, Moi Mir, LiveJournal, Rutube në nivel global.

Një arsye tjetër e rëndësishme pse aktivitetet propagandistike ruse nuk u përhapën në nivel global është se transmetimet në favor të Rusisë censurohen nga mediat perëndimore dhe postimet kundër Rusisë në përgjithësi hidhen shpejt në qarkullim global.

Avantazhi i Ukrainës.

Një nga avantazhet më të rëndësishme të Ukrainës në fushën e propagandës është historia personale si humorist dhe aktor e liderit ukrainas Zelensky.

 Zelenski, i cili ka aftësinë të përdorë si mediat klasike ashtu edhe ato sociale në nivel profesional, po tregon se nwprmjet metodave “video-konferencash” herë lidhet direkt me takimet e organizatave ndërkombëtare dhe herë me seancat e parlamenteve të vendeve perëndimore dhe shpall tezat e Ukrainës për opinionin publik botëror në një mënyrë të gjallë,emocionuese dhe shumë prekëse. Kjo ndodhë përballë medias ruse, e cila në fillim të luftës bëri publikime manipuluese dhe kontradiktore, u përpoq të fshehë humbjet në mjete ushtarake dhe të ushtarëve.

Deri në këto momente në këtë luftë është Ukraina, e cila zgjodhi të përdorë organet e medias në mënyrë proaktive dhe transparente. Për më tepër, fakti që opozita ruse ose elementët e opozitës shpallën shifra të ndryshme për viktimat ruse, duke hedhur poshtë politikën editoriale të vetë Rusisë, bën që Ukraina të jetë më efektive në aktivitetet e saj propagandistike kundër Rusisë. Një shembull i kësaj është akti mbresëlënës i një punonjëse të medias ruse, i cila u shfaq në televizionin shtetëror rus me një poster kundër luftës.

Pse është e rëndësishme Ministria e Transformimit Dixhital të Ukrainës?

Ministria e Transformimit Dixhital të Ukrainës, e cila u krijua në vitin 2019 dhe operon për dixhitalizimin e shërbimeve publike në Ukrainë, dha një kontribut të rëndësishëm në mbajtjen e një strategjie efektive propagandistike nga ana e Ukrainës në kuadër të aktiviteteve aktive të ministrit 31-vjeçar Mykhailo Fedorov në mediat sociale. Kjo ministri, nën drejtimin e Fedorov, ishte në gjendje të krijonte presion serioz publik për gjigantët e teknologjisë si Apple, Google, Meta, Twitter, YouTube, Microsoft, Sony, Oracle për të ndërprerë aktivitetet e tyre në Rusi. Sërish, falë iniciativave të kësaj ministrie, Elon Musk rregulloi pozicionet e satelitëve Starlink, të cilët ofrojnë lidhje interneti nëpërmjet satelitit, sipas Ukrainës, duke i mundësuar kështu qeverisë të lidhet me vendin dhe botën në rast se infrastruktura e internetit apo telekomunikacionit është e prerë ose dëmtuar. Si rezultat, Rusia, e cila ka bërë përparim, megjithëse të ngadaltë, pavarësisht humbjeve të mëdha në mjedisin e nxehtë të konfliktit, po përjeton një tjetër disfatë kundër Ukrainës edhe në frontin e luftës së informacionit. Mund të thuhet gjithashtu se Ukraina ka arritur të hapë një front të ri në mediumin dixhital me mbështetjen e Perëndimit. Falë efektivitetit të saj në këtë front të ri, mund të thuhet se Ukraina ka arritur përfitime të rëndësishme në tërheqjen e popullit rus në anën e saj, duke konsoliduar më tej opinionin publik ndërkombëtar në favor të Ukrainës, duke rritur fuqinë e rezistencës së popullit dhe ushtrisë së saj si dhe demoralizimin e elementëve të armatosur rusë.

Strategjitë e luftës informative të gjeneratës së ardhshme.

Aktivitetet propagandistike kanë qenë një nga fushat ku palët ndërluftuese janë fokusuar që në periudhat e para të luftërave konvencionale. Sot, me zhvillimin e mundësive të mediave sociale dhe internetizimit, teknikat klasike të propagandës janë zëvendësuar nga strategjitë e luftës informative të gjeneratës së re. Lufta Ukrainë-Rusi është një nga shembujt e parë të këtij proçesi të përjetuar në jetën reale. Në këtë proçes, një rol të madh në sigurinë kibernetike luajtën investimet e fuqive botërore si SHBA-ja dhe Rusia, si dhe nga shtetet me fuqi rajonale, veçanërisht në periudhën pas vitit 2010. Në këtë kontekst, shtetet që janë në luftë për pushtet në sistemin ndërkombëtar po krijojnë njësi speciale për të kryer aktivitetet e tyre propagandistike dhe për të zhvilluar kapacitetet e tyre të sulmeve kibernetike. Për shembull, Komanda Kibernetike (USCYBERCOM) brenda Ushtrisë Amerikane u bë funksionale në vitin 2010. Instituti rus i Kërkimeve në Internet (Internet-Isseledovaniy) pretendohet të jetë një organizatë që është qendra e operacioneve të perceptimit global në favor të Rusisë.Të gjitha këto zhvillime na zbulojnë natyrën në ndryshim të luftës. Megjithatë, megjithëse Lufta Ukrainë-Rusi është skenë e një lufte intensive të dezinformimit në mediat sociale, konflikti real fitohet ende duke përdorur armë klasike. Në këtë drejtim, kryerja e teknikave të propagandës së gjeneratës së re i jep përparësi njërës palë. Megjithatë, vetëm kjo situatë nuk mjafton për të fituar një konflikt të nxehtë ndaj bota perëndimore e europiane duhet të ndihmojë në reale po kaq shumë san ë virtuale Ukrainën.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025