Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e quajti shqetësuese deklaratën e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se “asgjë nuk ka ndryshuar pas 24 shtatorit” në kërkesat e ndërmjetësuesit të dialogut, duke shtuar së pas agresionit në Banjskë gjithçka ka ndryshuar.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari-Lila u shpreh se nuk është në dijeni për ndonjë ultimatum të dhënë ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe plotësimin e disa kërkesave të tjera.
Kryetarja e GP të LVV-së tha se Bashkimi Evropian duhet të marrë parasysh edhe kërkesat e Kosovës në dialog.
Kusari-Lila u shpreh se çdo ditë që po kalon dhe çdo fakt i ri që po zbardhet në raport me sulmin e 24 shtatorit po çon tek kryerësit dhe urdhëruesit deri në hierarkinë më të lartë shtetërore të Serbisë dhe, sipas saj, masat ndërkombëtare ndaj këtij vendi janë më e pakta që mund të ndodhin.
Sipas saj, tashmë kur po bëhen një muaj nga ngjarja në Banjskë ende nuk janë marrë masa ndaj Serbisë, ndryshe nga Kosova që mbetet nën masa ndëshkuese.
Pasi paralajmëroi se janë tri seanca të Kuvendit këtë javë, Kusari-Lila tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me opozitën për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare pasi bëhet fjalë për projekte deri në 400 milionë euro që do t’i përfitojnë edhe komunat që i udhëheqin partitë opozitare.