Kurti: Vuçiq me Rusinë po përgatit ultimatume të reja ndaj Kosovës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq se në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës.
Ai në një postim në Facebook ka listuar veprimet që duhej të ndërmerrte Serbia për viktimat e luftës në Kosovë, në vend se të del me ultimatume.
“Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua mos ndëshkimi dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike. Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodh aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta”, ka shkruar Kurti.