Kurti takon zëvendëskryeministrin italian, thekson nevojën për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
kurti
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.

Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Tajani dhe shtetin italian për përkrahjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. "Ne e shohim Italinë në thelb të BE-së dhe NATO-s dhe si një prej aleatëve kryesorë të Ballkanit Perëndimor", u shpreh kryeministri në fillim të takimit.

“Biseduan për marrëdhëniet bilaterale dhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, duke përfshirë organizimin e një forumi biznesor për më shumë ndërveprim mes kompanive të të dyja vendeve, me qëllim rritjen dhe thellimin e raporteve e të shkëmbimeve tona”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet se përgjatë takimit kryeministri nënvizoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe rëndësinë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat, tashmë që po bëhen pothuajse dy vjet nga aplikimi për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, i shprehu mirënjohjen ministrit Tajani për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në këtë rrugëtim.

Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi nevojën për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për të cilat edhe Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka konstatuar se kushtet janë përmbushur e masat duhet të hiqen.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024