Kurti takoi një delegacion nga Zvicra
Kryeministri Albin Kurti, ka pritur sot në takim një delegacion nga Zvicra që udhëhiqej nga ish-ambasadori në Prishtinë Thomas Kolly, me të cilin ka biseduar mbi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Urat e bashkëpunimit mes nesh si shtete, por edhe si shoqëri, të cilat kultivohen e thellohen edhe më tej përmes diasporës sonë në Zvicër, u vlerësuan lart nga kryeministri dhe personalitetet e pranishme në takim të cilët mbulojnë fusha të ndryshme, si mjekësia, komunikimi dhe arkitektura.
Kurti theksoi se diaspora kosovare në Zvicër ka një ndikim të madh, jo vetëm për numrin e saj të madh, por edhe për remitancat, ku mbi 20% e tyre që vijnë në Kosovë janë nga Zvicra.
Ai vuri në pah rolin e rëndësishëm të Zvicrës si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe që vazhdon të kontribuojë përmes programeve të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC). Ai nënvizoi rëndësinë e sistemit të arsimit dual, ku Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në lidhjen e arsimit me tregun e punës, duke ndihmuar në përgatitjen e fuqisë punëtore të re.
Më tej, u fol edhe për përfshirjen e grave në fushat e STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, ku aktualisht 50% e studentëve janë gra. Gjithashtu, u diskutua edhe për Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2022 – 2031, ku ankandi i parë për energjinë e rinovuar e përfundoi me sukses përmes një konsorciumi zvicerano-gjerman.