Historikisht, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tanë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të mira dhe po forcohen dita-ditës, tha kryeministri Albin Kurti, në pritjen e fundvitit të organizuar nga Ambasada e Sllovenisë.
“Kemi ngjashmëri në histori, një histori ku Sllovenia qëndroi fort me popullin e Kosovës – duke qenë një mik dhe mbështetës i besueshëm. Dhe ne kemi edhe një të ardhme të përbashkët - një të ardhme brenda familjes evropiane - duke ndarë vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe vullnetit dhe punës së palodhur për prosperitet socio-ekonomik”, tha Kurti.“Vitin e kaluar importet nga Sllovenia në Kosovë ishin rreth 177 milionë euro, ndërsa eksportet tona në Slloveni ishin vetëm rreth 10 milionë euro. Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, eksportet tona në Slloveni janë rritur, duke arritur në 28 milionë euro, që është një rritje mbresëlënëse prej 180%. Në investimet e huaja direkte kemi parë gjithashtu rritje të jashtëzakonshme nga Sllovenia, nga rreth 6 milionë euro në periudhën janar-tetor 2021 në rreth 26 milionë euro për të njëjtën periudhë në 2022, një normë rritjeje prej 350%”, theksoi kryeministri Kurti.
Ai tha se do të punojnë si dy vende dhe sektorë privatë përkatës për të forcuar dhe rritur më tej marrëdhëniet tona ekonomike dypalëshe.