Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se s’mund të themelojë asociacione si kryeministër i vendit. Sipas tij, kjo është një detyrë e komunave të cilat duhet të asocohen me njëra-tjetrën.
Megjithatë, Kurti bëri të ditur se ka ofruar që të hartojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kur Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit në vitin 2023, mirëpo që ishte refuzuar nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës i dialogut.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është ndër kërkesat kryesore të partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës, si pjesë e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke komentuar miratimin e një projektligji në serbi për juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë, Kurti tha se ky është një veprim armiqësor dhe agresiv ndaj kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, paqes dhe sigurisë në Kosovë.Krahas kësaj, ai përsëriti nevojën e tërheqjes së letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq nga Brukseli si dhe dorëzimin në Kosovë të përgjegjësit të sulmit terrorist në Banjskë, kryekriminelit, Milan Radoiçiq.
Ai u pyet edhe për pozicionimin e tij në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sa i përket masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Kurti tha se Kosova s’ka pasur asnjë faj për eskalimin e situatës vitin e kaluar atje si dhe ka pasur qasje konstruktive edhe për organizimin e zgjedhjeve lokale atje, por të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb.