Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës të shkarkojë nga detyra anëtaren e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi për shkak të tenderit me insulina. Qeveria, po ashtu ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë. Ndërkaq, i ka dhënë dritë të gjelbër edhe marrëveshjes 28 milionëshe me GIZ-in gjerman për projektin e promovimit të sipërmarrjes në zonat rurale bujqësore.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e OShP-së, ku lejohet importi i insulinave pa autorizim të marketingut, që garanton cilësinë e tyre. Andaj, ai është shprehur se është e domosdoshme të merren masa, fillimisht duke shkarkuar anëtaren e penalit përzgjedhës të OShP-së që e ka marrë këtë vendim.Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka paraqitur para kabinetit qeveritar disa nga sanksionet e reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë të harmonizuara me pakon e dhjetë të sanksioneve të BE-së dhe ShBA-së.
Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Faton Peci është shprehur se marrëveshja me GIZ-in gjerman fokusohet në dizerfikimin e fermave bujqësore në zonat rurale.