Kryeministri Albin Kurti, në Forumin e Bizneseve të Diasporës që po mbahet në Prishtinë ka thënë se Qeveria e tij është duke punuar që diaspora të jetë pjesë integruese e zhvillimit ekonomik të Kosovës, me një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet gjatë këtij viti.
Kryeministri Kurti tha se gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është negociuar marrëveshja me MCC-në në vlerë mbi 200 milionë dollarë për sektorin e energjisë.
“Gjatë vizitës në SHBA kemi negociuar marrëveshjen me MCC për një investim mbi 200 milionë dollarë në sektorin e energjisë. Kemi vizituar kompani teknologjike për të prezantuar potencialet e në Kosovë. Prezantuam arritjet ekonomike në Kosovë dhe potencialet investuese, dhe zhvilluam bashkëbisedime me investitorët dhe me profesionistët e diasporës shqiptare, thirrja jonë ishte që të kontribuohet për Kosovën duke përfituar, meqenëse Kosova është një vend në të cilin mund të kontribuosh duke përfituar. Potencialet dhe interesat e Kosovës i kam prezantuar edhe në Davos. Kosova është shteti më demokratik në Ballkanin perëndimor. Të dytët në rajonin e Evropës juglindore të Azisë Qendrore për sundim të ligjit”, theksoi Kurti.
Shefi i ekzekutivit foli edhe për aktivitetet e rritjes ekonomike në vend gjatë vitit 2021. Ai theksoi se qytetarët po i paguajnë tatimet pasi në qeverinë e tij nuk ka korrupsion.
Drejtoresha e Misionit të USAID-it për Kosovë, Zeinah Salahi vlerësoi rolin që ka diaspora në Kosovë, ndërsa kërkoi nga bizneset që të mbajnë kontakte me Qeverinë e Kosovës, pasi sipas saj trendët e eksportit janë rritur në vend.
“Roli i juaj mund të jetë transformues për Kosovën, për ta ndihmuar që të katalizohet një ekonomi më e qëndrueshme dhe fitimprurëse. Diaspora ka sjellë një përparësi të madhe për Kosovën dhe Kosova është një përparësi krahasuese dhe mundësi fituese për të gjithë. Këtë e dimë nga përvoja jonë, lidhjen midis bizneseve lokale dhe atyre nga diaspora kanë rezultuar në rritje të mëdha dhe mundësi si për diasporën ashtu edhe për Kosovën”, theksoi Salahi.
“Roli i diasporës shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendeve tona është kyç dhe i padiskutueshëm. Diaspora paraqet kapitalin më të madh jo vetëm ekonomik por edhe social e kulturor. Krahas aspektit të investimeve, vlerat e diasporës janë shumë dimensioanle”, tha Destani.
Kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri, Yll Blakaj kanë arritur progres në bashkëpunimin e bizneseve të diasporës me ato të Kosovës.
“Nga anëtarësia jonë e përgjithshme e cila është në numër të madh, dhe rrjetëzimi po vazhdon me të gjitha vendet e Evropës, aty ku jetojnë dhe po funksionon si është më së miri, por edhe lidhjet e bizneseve dhe sigurimi i tregut në Evropë po vazhdon për prodhuesit nga Kosova”, tha ai.
Në këtë forum kanë marrë pjesë shumë biznesmenë nga diaspora shqiptare për të promovuar kapitalin e tyre për tregun e Kosovës. Ndërkohë në kuadër të këtij forumi dyditor të shtunën do të realizohen disa vizita nëpër fabrika të ndryshme të vendit.