Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot aktoren Adriana Abdullahu në 25-vjetorin e vrasjes së saj nga forcat serbe. Ai ka thënë se me vrasjen e Adriana Abdullahut ish-regjimi serb sulmoi artin dhe artistët e Kosovës. “Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë. Adriana quhet “Engjëlli i Dodonës” e teatri i qytetit të saj, Ferizajt, quhet “Teatri Adriana”. Sepse një shpirt si ai i Adrianës nuk mund të shuhet. Atë nuk e bën dot koha, nuk e lejon shoqëria, nuk e mundëson vepra dhe përvoja e saj njerëzore. E nuk do ta lëmë as ne, si udhëheqje politike e Republikës së Kosovës,” tha Kurti.
Adriana Abdullahu njihet për talentin e rrallë në aktrim, për të cilën kryeministri Kurti tha se do të jenë model i rezistencës për jetë dhe liri në vendin tonë. “Kur e vranë, Adriana Abdullahu ishte 23-vjeҫare. Ishte një vit më e re se unë. Po të mos e vrisnin, Adriana do të ishte sot një vit më e re se unë. Mbrëmë isha në teatrin “Dodona”, dhe aty u dha një shfaqje e ciklit “Atmospheres” të Javës së Frankofonisë. Një shfaqje e shkëlqyeshme, magjepse “B+B=BB”, për figurën e Brigitte Bardot, teksa ajo eglendisej në situatat dhe veprat e historisë moderne të kulturës dhe artit francez. Shfaqjen franceze “B+B=BB”, sikur mos ta vrisnin para 25 viteve do të mund ta shikonte mbrëmë edhe Adriana Abdullahu. E vrasësi para 25 viteve nuk e ka shënjestruar Adrianën ashtu thjesht, vrasësi e ka urryer deri në vrasje një shqiptare që feston, një artiste premtuese. Nuk ka qëlluar mbi Adrianën, por ka qëlluar mbi rrethanën e saj shoqërore, mbi rrethinën e saj festive. Sikur të mos vritej Adriana para 25 viteve, do të ishin të panumërta shfaqjet ku ajo tashmë ka luajtur role e çmimet me të cilat tashmë është shpërblyer,” ka thënë Kurti.