Kurti pas takimit me Orav: Kosova sa më parë të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti pas takimit me Orav: Kosova sa më parë të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE
Kurti,Orav
16/02/2026 - 10:55
Linku u kopjua

Kosova sa më parë duhet ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha kryeministri Albin Kurti.

Ai, pas takimit me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se prioritet i qeverisë së sapo zgjedhur të tij është edhe përshpejtimi i agjendës së reformave për integrim në unionin evropian.

Kurti përmendi edhe ratifikimin e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, ku Kosova pritet të përfitojë mbi 800 milionë euro.

“E falënderova ambasadorin Orav, shefin e misionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, për urimin e tij me rastin e konstituimit të Kuvendit të legjislaturës së 10-të dhe për formimin e qeverisë, si edhe për aprovimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili ka vlerë të gjithmbarshme për republikën tonë prej 882.6 milionë eurosh. Nga këto, afro 30 për qind janë grante, ndërkaq mbi 70 për qind janë kredi. Gjithashtu, i përsërita zotimet e Republikës së Kosovës se shteti ynë do të jetë, siç ka qenë përherë, partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë që Bashkimi Evropian është organizata e paqes dhe sigurisë, ku ne dëshirojmë edhe të kontribuojmë, edhe të përfitojmë. Për këtë është e nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, që do të na ndihmojë ta përshpejtojmë agjendën e reformave, që padyshim do të jetë prioritet i qeverisë sonë”, tha ai.

Në anën tjetër, ambasadori Orav tha se ndihet i lumtur me formimin e institucioneve në Kosovë, pasi është e rëndësishme për BE-në që të ketë një partner të qëndrueshëm në Kosovë.

Sipas tij, në krizën politike të vitit të kaluar u testuan limitet e Kushtetutës.

“Të gjithë e dimë që vitin e kaluar u testuan limitet e Kushtetutës. U desh ca kohë, por besoj se tani është e mundur që të lëvizim para në drejtimin e duhur; është me rëndësi që nga ana evropiane të kemi një partner, një qeveri të qëndrueshme. Jam gjithashtu i lumtur se marrëveshjet lidhur me Planin e Rritjes u miratuan kaq shpejt në Kuvend dhe tani procesi i zgjerimit të BE-së vazhdon. Shpresoj që me Kosovën të kalojmë faqen tjetër të librit dhe të vazhdojmë për një të ardhme të përbashkët”, shtoi ai. Kurti ka marrë votëbesimin më 11 shkurt në Kuvendin e Kosovës, pas konstituimit të legjislaturës së dhjetë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026