Kryeministri Albin Kurti, ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari, dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, vizituan hapësirat e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren.
Në bisedë me të rejat dhe të rinjtë aty, u njoftuan me idetë dhe njëkohësisht sfidat të cilat po tejkalohen suksesshëm gjatë punës me ndërmarrje të reja inovative.
Duke përcjellë zhvillimin e ITP-së që nga fillimi, ai shprehu se Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Gjermanisë kanë kontribuuar deri më tani me nga 8 milionë euro për zhvillimin e Parkut, derisa edhe 5 milionë euro të tjera janë premtuar nga Qeveria gjermane për periudhën 2026-2029.
Kryeministri Kurti veçoi edhe masat e gjelbra të përfshira së fundmi nga ITP, përveç përgëzimeve për arritjet në sektorët me prioritet si shëndetësia, kërkimi, zhvillimi, energjia e gjelbër, industria krijuese dhe kulturore, si dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit.
Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren hapi dyert në maj 2020. Ai është një pikë qendrore në rajonin e Ballkanit për inovacion, zhvillim të biznesit dhe aftësive, dhe një burim i ideve inovative dhe të suksesshme.
Në vitin 2023, ITP ka gjeneruar rreth 400 mijë euro të hyra, ndërsa këtë vit parashikohen 520 mijë euro, ndërsa për vitin 2026 ITP parashihet që të arrijë pikën e vetëqëndrueshmërisë financiare.