Kurti: Nuk humbim kohë me të tjerët, synojmë gjysmë milionë vota më 9 shkurt
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Kurti: Nuk humbim kohë me të tjerët, synojmë gjysmë milionë vota më 9 shkurt
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e listës, Guxo dhe Alternativa, kanë prezantuar sonte kandidatët për deputetë pjesë e garës zgjedhore të 9 shkurtit 2025. Listës prej 110 kandidatëve i prin kandidati për kryeministër, kryeministri aktual dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Ky i fundit në fjalimin e tij ka prezantuar listën e VV-së për të cilën tha se janë njerëz me dinjitet dhe profesionalë.

Ai tha se në listën e VV-së 41 janë gra e 69 burra, 14 janë veteranë të luftës, gjashtë nga familjet e dëshmorëve, gjashtë ish-të burgosur politikë. Numri i atyre që kandidojnë për herë të parë është 46, ndërsa i atyre që kanë kandiduar dy herë e më shumë – 64, derisa numri i kandidatëve nga mërgata është tre.

“Nuk humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten në qëllimet tona më të larta - të angazhohemi me të gjitha mundësitë për ta ngritur subjektin tonë në shifrën prej gjysmë milionë të qytetarëve të Republikës”, tha ai.

Në dhjetëshen e parë të listës së VV-së janë edhe kryetari aktual i Kuvendit Glauk Konjufca, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla nga Guxo, ministrat Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, shefja e grupit parlamentar Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, ministri i Bujqësisë Faton Peci nga Guxo dhe Shqipe Mehmeti Selimi. Jashtë listës kanë mbetur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu dhe Besnik Bislimi, i cili do të jetë shef i shtabit zgjedhor.

Vetëvendosje ka udhëhequr me Qeverinë Kurti 1, e cila njihet si më e shkurtra në historinë e Kosovës – 50 ditë. Qeveria Kurti 2, e cila doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, përmbushi për herë të parë një mandat të rregullt katërvjeçar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024