Kurti në Londër: Vuçiq vazhdon politikat e Millosheviq duke u lidhur me Kinën e Rusinë
Lexohet për: 3 min.
ZKP ZKM 22 5 2024 (1)
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti në Konferencën e Mbrojtjes në Londër ka paralajmëruar se Kosova nuk është i vetmi vend në rajon i rrezikuar nga ndonjë sulm, teksa tërhoqi vëmendjen te rreziku që paraqet infrastruktura dezinformuese ruse e që përdor intervenimin e NATO-s për të dezinformuar mbi perëndimin. 

Në fjalimin e tij hyrës, kryeministri Kurti foli mbi rolin kritik të NATO-s dhe aleatëve demokratikë, 25 vjet më parë me rastin e çlirimit të Kosovës, dhe për rrezikun që autokratët paraqesin për sigurinë e vendit, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në tërësi.

Ai tha se suksesi i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ka sfiduar pikëpamjet pesimiste se çfarë mund të arrinte ndërhyrja perëndimor. Ajo, përveçse se ndaloi gjenocidin që po zhvillohej mbi popullin shqiptar nga regjimi i Millosheviq, i hapi rrugën rikthimit të mbi një milion refugjatëve, rindërtimit të 120 mijë shtëpive të djegura ose të shkatërruara dhe fillimit të një demokracie.

“Ajo që rezultoi ishte një republikë e pavarur, një angazhim për qeverisje të mirë dhe mirëqenie sociale të qytetarëve - qeverisje që respekton të drejtat e njeriut dhe vlerëson qëndrueshmërinë institucionale, me një kushtetutë dhe ligje që, siç theksoi Këshilli i Evropës në fillim të këtij viti, i përmbushin dhe tejkalojnë standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, dhe organet e zgjedhura në mënyrë demokratike që i zbatojnë ato ligje”, u shpreh  Kurti.

Ai ka theksuar se 25 vjet pas intervenimit të NATO-s, Kosova është forcuar me ndihmën e aleatëve ndërkombëtar dhe tani është demokracia numër një në rajon, krahas përparimit ekonomik e shoqëror.

Kurti tha se kërcënimet për destabilizim në rajon vazhdojnë të jenë të pranishme për shkak të Serbisë, lideri i së cilës Aleksandar Vuçiq po e vazhdon rrugën e ish-regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke krijuar gjithnjë e më shumë lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Kurti gjatë fjalimit përmendi kidnapimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të kufirit nga forcat speciale serbe në qershor 2023 dhe sulmin terrorist dhe paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, si dy raste të kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi zyrtar.

Kurti tha se është e nevojshme që të ripërtërihet aleanca demokratike e para 25 vjetëve, në mënyrë që shtetet që mbrojnë vlerat demokratike, të mbyllin boshllëkun politik dhe praktik që i bën liderët autokratë të besojnë se sulmi ndaj një vendi tjetër evropian është i mundshëm.

Konferenca e Mbrojtjes në Londër këtë vit po zhvillohet me temën “Parandalimi: ndërtimi i kapaciteteve për t’iu kundërvënë kërcënimeve globale”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024