Në kuadër të Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori pjesë sonte në darkën e liderëve të shtruar nga homologu i tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiq.
Ai me këtë rast ka postuar foto nga takimet me homologun e tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiq, komisionarin evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien.
Ndryshe, kryeministri Kurti nesër do të jetë folës në panelin e diskutimit "Situata aktuale dhe planet e së ardhmes - Plani i ri i rritjes".
Ky samit, gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, mbahet nën sloganin "Një rajon, vizion i përbashkët".
Plani i Rritjes përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me BE-në - dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të buta të garantuara nga BE.