Në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në panelin me temën “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë”. Kryeministri Kurti ka folur për temën e bashkëpunimit ekonomik, e cila sipas tij është një temë që ka rëndësi për vendin dhe rajonin tonë. Ai ka thënë se bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike, por, siç tha ai është një domosdoshmëri strategjike.
Kurti ka theksuar po ashtu se Kosova si shumë vende të tjera ka ndjerë ndikimet e pasigurive ekonomike globale dhe ndërprerjet e furnizimit dhe ndryshimit veçanërisht në vitet e fundit.
Ai duke folur për lirinë e lëvizjes theksoi se pa lirinë e lëvizjes ‘ne nuk do të mund të fitojmë lëvizshmërinë e studentëve dhe profesionistëve punëtorë, që është kyçe si për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe për rritjen e ekonomisë sonë’.
Kurti theksoi se ngjashëm, fqinji ynë verior, Serbia duhet të lejojë që të huajt, destinacioni i të cilëve është Kosova, të mund të shkojnë edhe më pas në Serbi. Ai tha se fatkeqësisht, kushdo që vjen nga Austria së pari në Kosovë, nuk mund të vazhdojë në Serbi pa shkuar më parë në Maqedoninë e Veriut.Në Vjenë të Austrisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi ministrin federal të Punës dhe Ekonomisë së Austrisë, Martin Kocher.