Gjurmë të çizmeve në drejtim të Serbisë e pranga plastike kanë gjetur institucionet e sigurisë në Leposaviq, ku njësitet speciale ushtarake serbe morën peng tre policë shqiptarë. E përkundër se për gjithë këtë ka fakte, kryeministri Albin Kurti, shprehi habinë për heshtjen e KFOR-it edhe një ditë pas këtij agresioni të Serbisë në Kosovë.
Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, apeluan bashkësinë ndërkombëtare që të bëjnë trysni mbi Serbinë për të ndalur agresionin ndaj Kosovës, dhe që të kthejë tre policët e rrëmbyer në territorin e Kosovës.
Kreu i ekzekutivit ka thënë po ashtu se marrja peng e policëve të Kosovës nga territori i tyre, prej njësiteve speciale serbe, mund të jetë edhe shkelje e Rezolutës 1244.
Duke vënë në pah se komandanti i Përgjithshëm i KFOR-it ka shpeshtuar përmendjen e Rezolutës 1244.
Edhe ministri Sveçla tha se Serbia qëllimisht po i deformon ngjarjet në teren, duke pretenduar se gjoja “policët ndodheshin në territor të Serbisë”.
Ai ka dhënë edhe detaje të tjera për operacionin e djeshëm të njësive speciale ushtarake të Serbisë, derisa ka shtuar se ende nuk dihet se ku po i mban Serbia policët e Kosovës.
Duke folur për komentimin që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell i bëri arrestimit të kreut të të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”, Milun Milenkoviq – Lune, kryeministri Kurti tha se “operacionet policore nuk janë punë e asnjë zyrtari evropian.”
E sa i përket zgjedhjeve të reja në komunat në veri të vendit, Kurti tha se ndërkombëtarët kanë premtuar se nëse bëhet aneksi i zbatimit në Ohër, serbët do të marrin pjesë në zgjedhje.