Kurti: Lavdi jetës plot aktivizëm politik të veprimtarëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha
Lexohet për: 3 min.
323890322_565828521774371_2617909905596311841_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vizituar sot familjet e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës.

Kurti ka njoftuar se ka nderuar dhe kujtuar veprimtarinë e Rexhepit dhe Nuhiut mes familjarëve të tyre, në përvjetorin e 39-të të rënies së tyre dëshmorë, më 12 janar 1984.  

“Rashë në sy që nga bankat e shkollës fillore si liridashës, sepse e doja popullin tim, historinë e tij të lavdishme, sepse e doja Kosovën time dhe e simpatizoja me gjithë shpirt Shqipërinë. Dhe, mjaftoi kjo që të më fusnin në burg.” – Kështu ka shkruar në ditarin e burgut Rexhep Malaj, aktivisti politik që me angazhimin e tij u bë edhe vetë pjesë si emër i përveçëm mes shokësh në historisë moderne të Kosovës, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Kanë kaluar 39 vite që nga vrasja e Rexhep Malajt, i cili në natën mes 11 dhe 12 janarit 1984, rezistoi bashkë me Nuhi Berishën, duke luftuar me policët e Serbisë që i kishin rrethuar në një bazë ilegale në Prishtinë, në lagjen që pas asaj nate do të quhej Kodra e Trimave. Sot isha për vizitë në familjen e Rexhep Malajt dhe në familjen e Nuhi Berishës, për ta nderuar dhe kujtuar veprimtarinë e Rexhepit dhe Nuhiut mes familjarëve të tyre, në këtë përvjetor të 39-të të rënies së tyre dëshmorë, më 12 janar 1984.    I lindur më 1951 në Hogosht të Kamenicës, Rexhep Malaj e nisi aktivitetin e tij politik qysh si gjimnazist, duke marrë pjesë në demonstratat e vitit 1968, për të vazhduar me angazhime dhe veprimtari ilegale, derisa u burgos me grupin e Adem Demaçit më 1974 dhe u dënua me 9 vite burgim. Pasi e vuajti dënimin e përcjellur me tortura në disa burgje nëpër ish Jugosllavi, me t’u liruar më 23 maj 1983, Rexhep Malaj e vazhdoi aktivitetin e tij ilegal politik. Mes shokësh, bashkë me të ishte edhe Nuhi Berisha nga Svirca e Kamenicës, që ndonëse dhjetë vite më i ri se Rexhepi, si student i ishte bashkuar Komitetit të Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar. Nata e 11 janarit e vitit 1984, Rexhepin dhe Nuhiun i gjeti bashkë në një bazë ilegale në Prishtinë, si dy shokë aktivistë që pasi i rezistuan aksionit të policisë së Serbisë, mëngjesi i 12 janarit i çeli të përjetësuar si dëshmorë”, ka shkruar Kurti mes tjerash. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024