Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në hapjen solemne të kampionatit shtetëror të Esports, një sfidë e re për të apasionuarit dhe një platformë për të kultivuar talentin e të rinjve në një mjedis digjital. Ai me këtë rast tha se Federata për herë të parë ka mbështetje financiare serioze nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. “Me ligjin e ri për sportin, i cili është në procedura parlamentare dhe ka kaluar në lexim të parë tashmë, kemi krijuar bazën ligjore që mundëson zhvillimin e esports në Kosovë. Jemi ndër shtetet e pakta në rajon dhe në tërë Evropën, që po ndërtojmë politika shtetërore të cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave elektronike,” tha Kurti.
Kurti shtoi se organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare në Kosovë, është një prej politikave të cilën Ministria e Kulturës e ka prioritet dhe synon së bashku me Federatën dhe komunitetin e lojërave elektronike ta sjellin në Kosovë gara dhe turne të Esports sa më shumë, në mënyrë që Kosova të bëhet epiqendra e këtij organizimi në rajon, Evropë dhe botë. “Për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare. Bashkimi i këtyre dy sektorëve sjell potencial më të madh për zhvillim, edhe që duhet të promovohet me kujdes të shtuar nga të gjithë ne në të ardhmen”, u shpreh kryeministri.