Kurti: Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut
Lexohet për: 2 min.
ZKP ZKM 9 12 2023 (1)
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se Kosova mbetet palë konstruktive e aktive në procesin e dialogut, drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen reciproke.

Gjatë qëndrimit në Berlin, në margjina të Kongresit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), kryeministri Kurti u takua me sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi dhe kryetarin e SPD-së njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.

Në takim me sekretaren Lasi u diskutua mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit brenda spektrit të majtë socialdemokrat dhe promovimit të vlerave të përbashkëta të demokracisë, drejtësisë e barazisë për të gjithë.

Kurti dhe Lasi thanë se vetëm të bashkuar mund t'iu bëhet ballë tentativave për devijime ekstreme të politikave, veçanërisht rrezikut që paraqet ekstremi i djathtë, në një kohë kur po afrohen proceset zgjedhore në shumë vende.

Ndërsa me kryetarin e SPD-së Klingbeil, kryeministri Kurti bisedoi rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e dialogut.

Kurti tha se rajoni përket brenda Bashkimit Evropian dhe se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e aspiratës së saj për anëtarësim në BE, ku dhe e ka bërë hapin e parë duke aplikuar për anëtarësim.

Në lidhje me dialogun, ai theksoi se Kosova vijon të mbetet konstruktive e aktive në proces, drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen reciproke.

Gjatë ditës kryeministri Kurti ka takuar kancelarin gjerman Olaf Scholz. Agjenda e kryeministrit Kurti në Berlin do të vijojë me takimet me mërgatën kosovare në Gjermani.

Kurti takon Scholtz në kongresin e SPD-së gjermane - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025