Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar të mbajtur sot ka folur edhe një herë për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ai ka thënë se nga ajo e diel e fundit të shtatorit gjithçka është ndryshe.
Kurti theksoi se përfshirja e institucioneve të Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë dhe lirimi i Radojiqit në më pak se 24 orë pas arrestimit janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues.
I pari i ekzekutivit theksoi se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të ardhshme.
“Institucionet e tona të sigurisë dhe inteligjencës së fundi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi kryesor i tyre është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse për serbët e Kosovës. Për të arritur këtë nuk ka zgjedhur çmim, nuk do të zgjedhin mjet. Fatkeqësisht që mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia duke u trajtuar si heronj dhe martirë dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit tonë vetëm se i ka inkurajuar. Provuan të ndryshojnë realitetin në terren përmes veprimeve të organizuara paramilitare por nuk ia arritën”, tha ai.