Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, kryeministrin i Kosovës, Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryediplomaten Donika Gërvalla dhe familjarë të të zhdukurve, bënë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Këta të fundit thanë se si familjarë janë shumë të zhgënjyer me institucionet vendor dhe ndërkombëtare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ankthi i familjeve të personave të zhdukur vazhdon të jetë i madh, porse qëndrueshmëria e tyre është e lartë.
Kurti ritheksoi thirrjen e tij ndaj faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për të ndërruar vendimin që arkiva e Brigadës së motorizuar37 të ushtrisë jugosllave të hapet.
Sipas tij, në këtë arkivë është e vërteta sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kur janë bërë 22 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.