Kurti i ankohet Sorensenit për Radoiçiqin
Lajme
Lexohet për: 2 min.
ZKM - 14 2 2025 (3)
12 orë më parë
Linku u kopjua

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në Konferencën e Sigurisë në Munih, takoi sot emisarin e ri të BE-së për dialogun Peter Sorensen.

Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti uroi Sorensen për pozitën dhe përgjegjësitë e reja, teksa veçoi progresin e Kosovës në katër vjetët e fundit, me theks te rritja ekonomike mesatare prej 6%, raporti i fundit i BE-së për vendin, që evidenton progres në 36 nga 38 fushat e vlerësimit dhe asnjë fushë me regres, pastaj rishpërndarja sociale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i të drejtave politike e lirive civile.

Ai tha se Kosova është shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah.

Sa i përket raporteve me Serbinë, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj.

Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja.

Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqesh nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se është absurde që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon kriminelin Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përsipër sulmin terrorist në Banjska duke lënë të vrarë një polic të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025