Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se hapja e korridoreve të reja me Shqipërinë për fluturimet komerciale, sjell përfitime mjedisore, por edhe ul koston për udhëtarët.
Gjatë ceremonisë zyrtare për hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë, Kurti tha se ky hap e sjell Kosovën më afër normalizimit të hapësirës së poshtme të saj ajrore.
“Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimeve sjell edhe përfitime për mërgatën tonë, rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave dhe për destinacione të reja për dhe nga aeroporti i Prishtinës”, shtoi ai.
Njoftimi për hapjen e korridoreve ajrore ishte bërë më 28 dhjetor të vitit 2023. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se hapja e rrugëve të reja ajrore për Kosovën u arrit pas një pune ekipore 15-mujore me autoritetet e Kosovës, Shqipërisë, por edhe me ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Sipas tij, për shkak të rrugës më të gjatë të fluturimeve, avionët kanë shpenzuar më shumë kerozinë, duke ndotur mjedisin. Rohde tha se më 2022, është përdorur 7.3 milionë kerozinë shtesë, në vlerë prej 3.3 milionë eurosh.
Ai u zotua se do të vazhdojnë punën që të hapen edhe korridore të tjera, duke përmendur Malin e Zi.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, ishte arritur në vitin 2020.
Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.
Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë - ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 - është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.