Kurti gjatë takimit me përfaqësuesit e Handikos-it: Synojmë të ofrojmë qasje të barabartë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim drejtorin e HANDIKOS-it, Afrim Maliqi dhe përfaqësuesit e kësaj organizate, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.

“Synimi i Qeverisë është të ofrojë mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë, mundësi për pjesëmarrje aktive në shoqëri, lëvizje të lirë dhe jetë të dinjitetshme”, tha Kurti.

Në takim, siç informoi zyra e kryeministrit, u bisedua për procesin e Amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të iniciuar nga Zyra e Kryeministrit, për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kushtetutë, konkretisht Neni 22.

Duke folur për ndryshimet e nevojshme ligjore, u përmend miratimi i Udhëzimit Administrativ për caktimin e Listës, llojeve dhe pajisjeve ndihmesë, që ofrohen falas për  personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe procesi i hartimit të Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar.

“U vlerësua zbatimi i  Masës 1.6 Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta, nëpërmjet së cilës gjatë vitit 2022 janë punësuar 239 persona, prej tyre 119 burra dhe 120 gra. U theksua se me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe barazisë në edukim, gjatë vitit 2022  janë punësuar afërsisht 100 asistent në shkolla për fëmije me nevoja të veçanta, ndërsa Qeveria ka ndarë buxhet për 500 asistentë për vitin 2023. Po ashtu, janë ndarë bursa për 13 studente me aftësi të kufizuara.”, u bë e ditur në komunikatë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, Kurti i është përgjigjur thirrjes së HANDIKOS-it, për përdorim të karrocës, në shenjë solidarizimi me personat me aftësi të kufizuara.

Kurti shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe organizatave për persona me aftësi të kufizuar. 

Po ashtu, Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e të gjitha obligimeve për mbrojtjen dhe jetësimin e të drejtave të njeriut, e në veçanti të personave me aftësi të kufizuara.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024