Kryeministri i Kosovës Albin Kurti priti sot në takim shefin e diplomacisë austriake Alexander Schallenberg me të cilin ka biseduar mbi rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në ekonomi, tregti, edukim dhe kulturë.
Kurti tha se stabiliteti institucional dhe indikatorët pozitivë ekonomikë dëshmojnë se qeverisja demokratike dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës.
Ndërsa ministri Schallenberg, theksoi se do të dëshironte që Austria të jetë mes tre investitorëve kryesorë në Kosovë dhe që të rritet bashkëpunimi në ekonomi.
Në takim u bisedua edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe qasjen konstruktive të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
Duke biseduar për rrethanat e reja gjeopolitike, kryeministri Kurti tha se mirëpret vëmendje të shtuar nga BE-ja në Ballkanin Perëndimor.
Nga të dy palët u vlerësua organizimi i Forumit të përbashkët Ekonomik në Kosovë, për mundësitë që ofroi në shkëmbimin e drejtpërdrejtë ndërmjet ndërmarrjeve të Kosovës dhe Austrisë.