Kurti-Baykar: FSK gjatë dy vjetëve të fundit është zhvilluar dukshëm
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë së mbrojtjes Baykar, Haluk Bayraktar, që po shoqërohej nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, me të cilët ka biseduar për mundësitë e reja të bashkëpunimit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës përgjatë dy viteve të fundit është zhvilluar dukshëm sa i përket kapaciteteve luftarake, e padyshim në këtë aspekt përveç rritjes për më shumë se dyfish të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë direkte ka ndikuar edhe bashkëpunimi i shkëlqyer me kompaninë turke Baykar dhe Qeverinë e Turqisë me të cilën kemi bërë blerjen e dronëve TB2 dhe pajisjeve tjera më moderne ushtarake”, ka thënë Kurti.
Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bayraktar për mënyrën se si është trajtuar me prioritet të lartë çdo blerje e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, duke dëshmuar kësisoj edhe një herë raportet e ngushta ndërmjet Kosovës e Turqisë.
Ai gjithashtu e uroi Bayraktar për medaljen “Shërbim të Shquar”, me të cilën u dekorua sot nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që njëherësh është edhe çmimi më i lartë ushtarak në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës.