Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku refuzoi ofertën për bashkëqeverisje, tha kryeministri Albin Kurti. Pas takimit të hënën për zgjedhjen e presidentit, Kurti tha se Abdixhiku refuzoi edhe ofertën e dytë që LDK-ja ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit. Rrjedhimisht sipas Kurtit, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
I pyetur se cilat do të jenë përpjekjet e radhës për zgjedhjen e të parit të vendit, derisa kanë mbetur edhe nëntë ditë afat kushtetues, Kurti tha se i ka dërguar një mesazh liderit të PDK-së, Bedri Hamza për takim, por shtoi se oferta për bashkëqeverisje dhe kryetarin e Kuvendit vlente ekskluzivisht për LDK-në.
Sipas tij, krahas kërkesës për bashkëqeverisje, lideri i LDK-së refuzoi edhe ofertën e dytë që kjo parti ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit.
“Nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për bashkëqeverisje. Kur është refuzuar oferta jonë për bashkëqeverisje, në shpjegimin që LVV-ja nuk duhet t’i ketë të tri pozitat e larta shtetërore, atëherë ne bëmë një ofertë tjetër për LDK-në. Kjo është që pozita e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Kuvendit të pësojnë një rokadë. Ashtu që ose nënkryetari i LDK-së ose dikush tjetër që përcaktohet LDK-ja të zë pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërkaq kryetarja aktuale e Kuvendit do të bëhej nënkryetare e Kuvendit, aty ku tash është pozita e LDK-së. LDK-ja do të kryesonte legjislativin, ndërkohë për kandidatin tonë, Gluak Konjufcën ne nuk kemi kërkuar votë për nga LDK-ja. Ata të votojnë si të duan”, tha ai.Sipas tij, LDK-ja me 15 deputetë nuk beson se ka të drejtë të kërkojë pozitën e presidentit.
Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje me LDK-në, Kurti tha se i ka dërguar një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza për takim, por nuk tregoi nëse i ka dërguar ftesë zyrtare.