Trajneri i xhudos Driton Kuka ka thënë se paraqitje e Kosovës deri më tani në Lojërat Olimpike në Paris mund të cilësohet e jashtëzakonshme dhe shumë emocionale gjithashtu për të gjitha garuesit dhe trajnerët.
Ai ka lavdëruar Distria Krasniqin dhe Laura Fazliun për sukseset e tyre duke thënë se përkushtimi i tyre në punë solli këto rezultate.
“Akil Gjakova është ajo storia e cila mua personalisht po më bën të ndihem jashtëzakonisht me emocione negative për shkak se e meritoi medaljen olimpike, ndoshta edhe të artën. Ka luftuar si një luan, ka luftuar me masonat e xhudos botërore, ka qenë impresiv, atraktiv, të gjitha mediat kanë shkruar për performancën e tij, arriti deri në gjysmëfinale në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Kuka.
Medaljen e bronztë të fituar nga Laura Fazliu, Kuka thotë se përtej angazhimit të xhidistes nga Mitrovica, në anën e Kosovës në këtë rast ishte edhe fati, sidomos në luftën finale.
“Pas fitores së Distrias e mendoja tërë kohën që mos diçka po e ndal atë dëshirën time të madhe drejtë medaljes së pestë për ta përmbushur veten, për t’i përmbushur ato rrathët olimpik, ndodhi ajo që ndodhi dhe jam shumë i lumtur, do të thotë numri pesë është përmbushur për mua si trajner por në radhë të parë për Kosovën, për shtetin tonë të ri për të cilin ne punojmë dhe veprojmë”, tha Kukan ë fund.
Nga sporti i xhudos, ende nuk ka garuar xhudistja Loriana Kuka.