Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në promovimin e librit monografi për masakrën në Poklek, “Shtëpia me gjak në mure”, të autorit Afrim Hysenaj, që u organizua në shtëpinë muze të kësaj masakre në Drenas.
Kurti tha se libri përmbledh kujtime mbi të vrarët e përkujtim për të gjallët mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe domosdoshmërinë e drejtësisë.
Ai gjithashtu përmendi projektin serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”, dhe përpjekjet e Serbisë për zhdukjen e gjurmëve të krimit gjenocidal duke i djegur trupat e të vrarëve në masakrën në Poklek.
“Ai hi i mbledhur, ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Është edhe thirrje për drejtësi. Edhe ky libër përshkohet nga kërkesa e familjarëve për drejtësi”, tha Kurti.
Më 17 prill 1999, forcat kriminale e terroriste të Serbisë vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75-vjeç te foshnja 6 muajsh Liria e deri te gratë shtatzëna.