Në ditën kur qyteti i Shtimes shënoi 27-vjetorin e çlirimit, Pallati i Kulturës u shndërrua në një skenë kujtese, krenarie dhe arti, ku koncerti solemn i organizuar nga Kori “Të Mirët e Kombit”, në bashkëpunim me Ansamblin Kulturor e Valles “Ilirida”, solli emocione të veçanta për qytetarët dhe mysafirët e shumtë.
Ky koncert u zhvillua nën patronazhin e Komunës së Shtimes, nga drejtori artistik Shkodran Tolaj, duke sjellë në skenë emra të njohur të muzikës dhe artit skenik shqiptar si mezosopranja Besiana Mehmeti, maestro Zhani Ciko, pianistja Rudina Ciko, baritoni Armando Likaj, dhe mjeshtri i skenës Llesh Nikolla.
Mezosopranoja Besiana Mehmeti e cilësoi koncertin si një ngjarje të veçantë për Shtimen, duke theksuar për KosovaPress, se për herë të parë në qytet po performonin njëherësh artistë të mëdhenj shqiptar.
“Në Shtime, jo vetëm artistët e tjerë që janë artistë të kalibrit, duke filluar nga maestro i madh i muzikës Zhani Ciko, nga profesoresha Rudina Ciko, nga baritoni i Teatrit të Operas dhe Baletit Armando Likaj, nga tenori Shkodran Tolaj, i cili është edhe drejtues artistik i aktivitetit, nga kori "Të mirët e Kombit", nga mjeshtri i madh Llesh Nikolla, të gjithë janë për herë të parë në Shtime dhe kjo e bën të veçantë. Sepse mendoj që është një ngjarje e veçantë, e gërshetuar me fjalën artistike, me muzikën shqipe klasike, me vallen popullore të ansamblit "Ilirida" që janë vendas dhe janë pjesë e programit”, tha Mehmeti.Sipas saj, mesazhi kryesor i koncertit ishte se liria nuk është dhuratë, por amanet që duhet ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi.
“Dhe natyrisht këtu rolin kryesor e ka komuna e Shtimes, punonjësit e Pallatit të Kulturës dhe gjithë ata të cilët kanë hapur zemrën dhe kanë mbështetur këtë aktivitet. Sepse është aktivitet i formatit shumë të madh për një qytet të vogël siç është Shtimja. Kjo është e veçanta që jo gjithmonë kryeqendrat, Tirana, Prishtina, Shkupi duhet të kenë ngjarje të mëdha, por edhe qytetet e tjera kanë nevojë për ngjarje të tilla. Mesazhi është i qartë. Liria nuk është dhuratë, është një amanet i shenjtë që duhet ta ruajmë si sytë e ballit dhe ta trashëgojmë brez pas brezi. E bukura e këtij koncerti është që janë gërshetuar të gjitha gjeneratat: nga të rinjtë, gjenerata e mesme, artistë pra karriere dhe ikonat e artit të skenës. Të gjithë janë në një skenë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu për KosovaPress, tha se për komunën ishte nder i veçantë që përvjetori i çlirimit të shënohej përmes një koncerti me artistë të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ai shtoi se komuna po investon vazhdimisht në kulturë dhe art, duke veçuar mbështetjen për Ansamblin “Ilirida”, i cili sipas tij, po dëshmon talentin e të rinjve shtimjanë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Komuna e Shtimes për çdo vit, për çdo muaj, po zhvillohen ngjarje kulturore, artistike të jashtëzakonshme. Një nga ato kulminantet ishte edhe kjo. Ju i patë që në mesin e këtyre shfaqjeve kishim edhe pjesëtarë të ansamblit "Ilirida". Ansambli "Ilirida" është themeluar në tre vitet e fundit në komunën e Shtimes, edhe ne po e mbështesim fort talentin e djemve dhe vajzave të komunës së Shtimes, të cilët po na përfaqësojnë dhe po na befasojnë me talentin e tyre, edhe me sukseset e tyre, qoftë në festivalet kombëtare, qoftë ato ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Në vazhdim, drejtori artistik i koncertit, Shkodran Tolaj, solli interpretimet e këngëve “Albulena” dhe “Fjalët e Qiririt”.
Një nga pikat më prekëse të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Ai është i gjallë” nga Besiana Mehmeti, kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes Jashari.
Në fund të koncertit, mes tingujve artistikë dhe kujtimeve të luftës, u përcoll mesazhi se kujtesa për sakrificën e mbi 10 mijë civilëve të vrarë, mbi një mijë fëmijëve të masakruar dhe mijëra familjeve të prekura nga lufta, mbetet detyrim i përhershëm për brezat që gëzojnë lirinë e Kosovës sot.