Kthimi i policëve serbë, Sveçla: Nuk i plotësojmë kërkesat e Vuçiq
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë panelit të politikës së mbrojtjes dhe sigurisë në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së, ka folur mbi dorëheqjet e mëhershme të policëve, gjyqtarëve dhe kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri.
Ai ka thënë se dorëheqja e tyre ka qenë e qëllimshme dhe nuk bëhet më fjalë për kthimin e tyre.
“Nga viti 2014 deri 2021, ne nga Policia e Kosovës e atëhershme nga struktura të cilat “kanë përfaqësuar Kosovën në atë zonë”, kemi pasur zero raste të ngritura për krimin e organizuar, zero raste për terrorizmin, zero të krimit ekonomik e korrupsionit. Në plotni i kanë shërbyer Beogradit dhe kriminelëve në terren për përfitime të aty për atyshme dhe dorëheqja e këtyre zyrtarëve policorë, në fakt ka qenë pastrim i elementit kriminal në atë zonë. Dorëheqja e policëve ashtu si edhe prokurorëve gjykatësve, kryetarëve të komunave është bërë me qëllim që sistemi jonë të implodojë atë punë atje. Falë reagimit tonë të shpejtë, përkundër hezitimeve të faktorëve të tjerë kemi marrë stacionet policore brenda orësh kemi stabilizuar situatën e sigurisë aty”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka theksuar se nuk do të ketë kthim të ish-policëve serbë në detyrat e tyre si pjesë e Policisë së Kosovës, pasi ata janë dorëhequr më herët me vetë dëshirën e tyre.
“As që bëhet fjalë që të plotësohet kërkesa e Aleksandar Vuçiq, që ish-policët të kthehen në radhët e Policisë së Kosovës, kjo jo vetëm se është shkelje ligjore por edhe shkelje e vullnetit politik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.