Sistemi TIMS është rikthyer në gjendje pune sot në mëngjes në disa prej pikave kufitare të Shqipërisë, pasi në orët e vona të së premtes u bllokua për shkak të një sulmi të ri kibernetik nga Irani.
Në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, këtë të diel u rikthye sistemi dhe puna vijon normalisht, ndërkohë që një ditë më parë pasagjerëve iu kërkua të vinin dy orë e gjysmë më herët pasi regjistrimi bëhej manualisht.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, njoftoi se TIMS është funksionale dhe në pesë pikave të tjera kufitare në vend, në Hanin e Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë dhe Kakavijë.
Ndërkohë në Durrës sistemi është rikthyer pjesërisht, ndërsa një pjesë e sporteleve vijon ende regjistrimin me shkrim të udhëtarëve.
“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”, shkruan Rama në Twitter.
Një ditë më parë, hakerët e sponsorizuar nga Irani kanë vënë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare.
Hetimet e mëtejshme do të zbulojnë se çfarë dëmi ka shkaktuar ky sulm, por autoritetet thonë se TIMS dhe sisteme të tjera, kanë pasur masa mbrojtëse, pasi në brendësi të tyre kanë informacione tejet sekrete.
Ka një sistem mbrojtës, ku dhe një person i autorizuar kur hyn lë shenjë, që do të thotë se hakerët nuk mund të hyjnë pa lënë gjurmë në sistem.
SHBA akuzoi Iranin për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, ndërsa sanksionet përfshijnë bllokimin e pronave të zyrtarëve dhe ministrive të mbajtura përgjegjëse./tch