Kryetarët shqiptarë në veri pritet të përfundojnë në tërësi mandatin pas thirrjeve për bojkot të votimit të 21 prillit
Lexohet për: 3 min.
peticioni-170124
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Pas qëndrimit të Listës Serbe se nuk do të marrin pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës janë ngritur dyshime se votimi i 21 prillit do të jetë i suksesshëm.  Sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, qytetarët serbë në veri pritet t’i binden thirrjeve të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, rrjedhimisht do të mbesin në detyrë kryetarët aktualë. Në rast të dështimit, sipas Udhëzimit Administrativ të MAPL-së, peticion të ri për shkarkimin e kryetarëve mund të ketë vetëm pas 12 muajve, kur edhe mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës(KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress, se paralajmërimi për bojkot i Listës Serbe është i çuditshëm, duke marrë parasysh se kjo parti kishte marrë pjesë në sigurimin e 20 për qind të nënshkrimeve për të nisur procedurën për shkarkimin e kryetarëve në veri.

Sipas tij, Lista Serbe e ka parë se s’ka vullnet të mjaftueshme të qytetarëve në veri për të dalë në votim, andaj po tenton që i njëjti mos të dështojë për shkak të mosdaljes së komunitetit serb, por në një mënyrë t’i atribuohet faji institucioneve kosovare se është e pamundur të arrihet 50 për qind plus një votë e trupës elektorale që të shkarkohen kryetarët.  

Të dështuar procesin e votimit të 21 prillit e konsideron edhe profesori universitar, Kadri Kryeziu, i cili thotë për KosovaPress, se vetëm dorëheqjet e kryetarëve aktualë në veri do të prodhojnë zgjedhje të reja atje.

Në anën tjetër, Cakolli parasheh se kryetarët aktualë në veri do të përfundojnë mandatin e tyre të rregullt deri në fund të vitit 2025.

Pas vendimit të Listës Serbe për bojkot të votimit të 21 prillit, edhe përfaqësuesit e tyre në Komisionit Komunale Zgjedhore kanë dhënë dorëheqje nga këto poste.

Keqardhje për këtë vendim të Listës Serbe kanë shprehur edhe vendet e QUINT-it në Kosovë.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që votimi për shkarkimin e kryetarëve në veri të mbahen më 21 prill, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet që u mblodhën në muajin janar./E.Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024