Elliot Engel është hero në Kosovë. Qeveria atje e ka nderuar me shumë dekorata, përfshirë vendosjen e portretit të tij në një pullë postare dhe emërtimin e një bulevardi të madh me emrin e tij. Nëse njujorkezët kanë arsye ta shohin Engel-in po aq pozitivisht, kjo mbetet një çështje tjetër.
Kështu e kishte përfunduar tekstin e tij gazetari i National Review, David Reaboi, të shkruar më 22 qershor 2020, një ditë para zgjedhjeve për kongresin amerikan.
Në fakt, ky ishte më shumë si një citat i rivalit direkt të Engelit për garën elektorale, progresistit Jamaal Bowman, i cili atëherë ishte mbështetur prej demokratëve të njohur, nga Elizabeth Warren deri te Alexandria Ocasio-Cortéz.
Bowman kishte akuzuar Engel-in, se po merret me çështje të politikës së jashtme sipas interesave personale, në dëm të distriktit të tij e shkak për këtë, sipas tij, ishte Kosova dhe angazhimi i vazhdueshëm i Engel për të.Shkrimi përmend lidhjet e Engel me shqiptarët dhe citon kritikat që këtij të fundit ia kanë bërë serbet dhe mediet në Beograd se ai ishte lobisti kryesor i Kosovës në Uashington.
“Gjatë presidencës së Bill Clinton-it, Engel ishte ndër përkrahësit e hershëm të ndërhyrjes amerikane në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, dhe më vonë loboi fuqishëm që SHBA ta njohë pavarësinë e Kosovës. Që atëherë, Engel ka lobuar që SHBA të ndihmojë Kosovën për të ndërtuar një ushtri”, thotë më tej artikulli.
Engel, sipas raportimit, ka kritikuar me të vërtetë administratën e Shteteve të Bashkuara se nuk po qëndron fuqishëm pas Kosovës, në sfidat e vazhdueshme që kjo ka me Serbinë, ndaj së cilës ai ka kërkuar që Washingtoni të vendos sanksione për shkak të lidhjeve të ngushta të Beogradit me Rusinë.