Kreu sulm terrorist në Kosovë, Radoiçiq intervistohet nga prokuroria serbe
Lexohet për: 3 min.
radoiqiq
1 vit më parë
Linku u kopjua

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë - fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se bashkë me disa persona - tash për tash të panjohur - kanë kryer vepra penale të bashkimit, me qëllim të kryerjes së veprave penale: "prodhim, mbajtje dhe trafikim i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese", si dhe "vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme", raporton Radio Evropa e Lirë.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se "ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator".

Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit - më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.

Më pas, ato armë "ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje", thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

MPB-ja serbe tha se Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal, por nuk dha më shumë detaje.

Më 29 shtator, Radoiçiq - i cili është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së dyshuar në krim të organizuar ndërkombëtar - mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

https://kosovapress.com/admin/arrestohet-ne-beograd-milan-radoiciq/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025