“Ishin ngri prej mrazi këta, krejt kufomat e ngrira kishin qenë”, thotë Hasan Metushi teksa shikon vetën në fotografi i ulur përballë tre trupave të vrarë - babait dhe dy axhallarëve të tij.
Kështu kujton 16 janarin, një ditë pasi Reçaku u përgjak nga gjenocidi që kryen forcat ushtarake dhe policore serbe mbi civilët e pafajshëm shqiptarë. Fshati i cili ndodhet rreth 35 kilometra nga Prishtina, bëri kthesë të madhe në historinë e Kosovës.
Hasani gati çdo ditë vjen për të vizituar këto varre, por njëri tash e 27 vjet është i zbrazët.
Teksa lëmon emrin e Sahide Metushit të gravuar në përmendore, ai po mundohet të gjej ngushëllim për trupin e pagjetur të nënës së tij.
Pavarësisht dhimbjes së madhe, Hasani i cili ishte ushtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës thotë se sot ndjehen krenarë si familje.
“Gjaku i tyre u bë lule edhe krejt Kosova u çlirua. Ra gjaku i tyre dhe u çliruam. Sepse janë bërë shumë masakra dhe shumë e njeri e ka përjetuar rëndë, në mesin e krejt masakrave ra kjo e qiti në dritë këtë popull dhe këtë masakër. Se kush e di sa do të zgjaste lufta... I kemi bërë me ADN dhe me krejt në Prishtinë, në shoqatën e të zhdukurve dhe kam qenë sa e sa herë dhe jam interesuar të di se a ka, por problem është, për të është problem se vetëm një kufomë ”, shprehet ai.
"Ishin ngri prej mrazi këta, krejt kufomat e ngrira kishin qenë. Që edhe gjak pak, aq mraz ka qenë që janë ngrirë menjëherë kufomat. Baba në gjoks, axha në gjoks”, rrëfen Metushi mes tjerash.
Metushi shpreh zhgënjimin ndaj institucioneve të vendit, sipas të cilit shumë pak është punuar për drejtësi.
Moti i ftohtë e bora i kujtojnë edhe Agron Mehmetit ditën e 15 janarit të vitit 1999.
“Sa herë të vjen janari në këtë kohë ne edhe ëndrrat i shohim me ata njerëz që jemi lind edhe jemi rritur bashkë me ta. Nuk është e lehtë që për një moment, në një mëngjes zgjohesh edhe 45 banorë të fshatit Reçak zhduken sikur të mos ekzistojnë kurrë”, deklaron ai.
“Prej të gjitha anëve jemi sulmuar me armë të ndryshme, në fillim është plagosur djali i axhës tetë vjeçar, vajza e axhës Hanumshahja e ka thirr babën e vet dhe i ka thënë ‘o bac e vrajtën Elhamiun’. Edhe duke ardhur te djali i vet, edhe atë e kanë qëlluar me snajper në kokë edhe ai u ra pranë neve aty, pastaj vajza ka bërtitur edhe më shumë kur ia kanë vrarë babën edhe e kanë qëlluar edhe Hanumshahen në gjoks dhe ne qysh kemi qenë aty prej tëra anëve të krismave, vendi ishte si përroske aty, dhe kemi kërcyer krejt në atë përroske aty. Krisma të mëdha shumë dhe ka menduar që në atë vend u vranë krejt. Ashtu zvarrë kemi shkuar dhe e kemi marrë zvarrë edhe Hanumshahen duke menduar që është vetëm e plagosur edhe ajo pas 2-3 minutave vdiq në dorën tonë aty”, rrëfen Agroni për KosovaPress.
Për të gjitha këto, ai ka dëshmuar për disa ditë radhazi edhe para Tribunalit të Hagës në vitin 2002.
Trupat e të masakruarve janë varrosur pak metra më larg fshatit tek Kompleksi Memorial.
Vit për vit, bëjnë homazhe me qindra qytetarë nga e gjithë Kosova e më gjer. Në mesin e tyre, janë edhe të rinjtë të cilët sot gëzojnë lirinë.
“Më kanë treguar prindërit që mi kanë masakruar edhe më kanë rënë martirë, gjyshi edhe xhaxhai. E xhaxhai nuk ka mundur ta shijojë shkollën për shkak që serbët ja kanë ndaluar shkollën edhe nuk kanë mundur të vazhdojnë shkollën se serbët nuk e kanë pyet a janë të vegjël, a janë fëmijë apo pleq por vetëm i kanë qit prej shkollës edhe nuk i kanë lënë të mësojnë as gjuhën shqipe dhe asgjë tjetër”, thotë mbesa e Ahmet Jakupit, Liana, e cila është nëntë-vjeçare.
Nga prindërit ka mësuar edhe Belina Kameri se si gjyshit të saj forcat barbare ja prenë kokën.
Liana e Blerina të shoqëruar me shumë fëmijë të tjerë, vizituan këtë kompleks, ku u njoftuan për historinë edhe nga mësuesi i shkollës “Skënderbeu”, Xhelal Ismajli. Edhe ai tregon se ditën e 15 janarit, u masakrua babai i tij.
“Këta fëmijë kanë lindur pasluftës dhe nuk kanë njohuri të duhura që duhet t’i kenë në tekstet mësimore, si për Reçakun, ashtu edhe për heroizmin e Kosovës, të cilët janë nëpër periudhat e ndryshme. Ne sot kemi shumë pak literaturë që nxënësit të qasen në tekste mësimore dhe të kenë njohuri për të gjitha betejat, sakrificat, dhimbja dhe krenaria e vendit tonë. Këtu, bëjë apel te institucionet e shtetit që duhet të merren më shumë me literaturë dhe të merren të dhënat nga njerëzit e duhur, nga dëshmitarët e masakrës së Reçakut”, shprehet ai.
“Këto plagë është zor që të shërohen”, thotë Hasan Metushi, i cili 27 vjet pas luftës nuk di se ku ndodhet trupi i nënës së tij.
“Këto plagë është zor që të shërohen, por ne e ndjejmë vetën mirë që sado pak e dimë që u punua diçka për këta njerëz. Ende nuk doli një dëshmitar, janë dënuar kapak 10 vjet, pesë vjet, por ai nuk është dënim, është hajgare të vrahet familjari pa pikë faji të nxjerret prej shtëpisë, të masakrohet edhe të vrahet e të dënophet pesë vjet, e sado pak na i zbut pak këto dhimbje. Por nuk doli ende dikush, se ne po gjykohem, pjesëtarët e UÇK në Gjykatë Speciale, unë nuk e di, s’po i bie në fije kësaj pune se a duhet të dënohet krimineli a viktima, këtu te na po dënohet viktima”, përfundon Hasan Metushi.
Në Kompleksin Memorial në Reçak është ngritur edhe statuja e William Walker, njeriu i cili për herë të parë masakrën në këtë fshat e cilësoi krim kundër njerëzimit. Ai asokohe ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.
Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe. /Sh.Pajaziti