Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me fotografi nga vizitat që u ka bërë familjarëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët aktualisht ndodhen në Hagë.
“15 vjet shtet! Nder e krenari që shënimin e datës historike të 17 Shkurtit, ta filloj me vizita te familjet e heronjve të luftës dhe të paqes, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Kontributi i Hashimit, Kadriut, Jakupit dhe Rexhepit nuk u kufizua në një etapë të vetme historike. Misioni i tyre për t’i dalë zot Kosovës ishte dhe mbetet i përhershëm. Ndonëse sot çlirimtarët janë larg familjeve të tyre dhe larg nesh në misionin e tyre për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së, me mendje dhe me zemër ata i kemi përherë pranë.
Jam i lumtur që një pjesë të rrugëtimit tim politik, pata fatin ta zhvilloj përkrah këtyre personaliteteve. Mirënjohje e respekt maksimal për punën e palodhur dhe angazhimin e pandalur të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së për Kosovën. Gëzuar Dita e Pavarësisë!”, ka shkruar Krasniqi.