Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sot në 41 vjetorin e vrasjes së heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, ka theksuar se ata kanë vënë themelet e bashkërendimit të grupeve politike në një front të përbashkët në rrugën e përpjekjeve të pareshtura të popullit të Kosovës për liri.
Krasniqi ka potencuar se veprimtaria e heroike e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, është bërë frymëzim për mijëra atdhetarë në brezat pasues.
Më 17 janar të vitit 1982, në një atentat janë vrarë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Ndonëse, kanë kaluar 41 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.