Pas provokimeve të bëra nga tifozët e Rumanisë ndaj Kosovës në ndeshjen ndërmjet këtyre dy shteteve në Bukuresht që sollën ndërprerjen e ndeshjes, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ai përmes një reagimi në Facebook ka thënë se që nga 17 shkurti Kosova është shtet i pavarur dhe se këtë realitet nuk ka slogan që e ndryshon.
Që nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova është shtet i pavarur, ndërkaq, që nga 3 maji i vitit 2016, Kosova është anëtare me të drejta të plota në UEFA. Slloganet politike, koret fashiste, fishkëllimat e sharjet drejt djemve tanë dhe Kosovës në Rumani - nuk na ndalin.
Kosova, si shtet dhe si kombëtare futbollistike, do të paraqitet me krenari gjithandej nëpër botë, edhe ku nuk na duan e posaçërisht aty. Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe nuk dorëzohemi para fashistëve të vegjël turbofolk. E përjetshme është Kosova!