Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri. Sipas tij kjo është alarmuese.
Ai ka thënë se vendi ka nevojë për Shqipërinë më shumë se asnjëherë tjetër.Mbledhja e dy qeverive ishte planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë.
Anulimi i saj është bërë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një konference të jashtëzakonshme për media ku ka bërë të ditur se i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti një tjetër format takimi.Pas kësaj konference Qeveria e Kosovës ka deklaruar se mbledhja është anuluar njëanshëm nga Rama.
“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë për KosovaPress, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Lidhur me këtë është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.