Oda e Afarizmit të Kosovës ka mirëpritur miratimin e projektligjit nga qeveria për rritjen e pagës minimale në 250 euro, por kërkon që kjo pagë të jetë sektoriale dhe jo e përgjithshme.
Sa i përket aktivitetit ekonomikë në vend, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi e cilëson se ka stagnim dhe mungesë të vullnetit qeveritar për përkrahjen e bizneseve në lehtësimin e të bërit biznes, për furnizime dhe investime.
Kështu sipas Krasniqit, do të kontribuohet në mënyrë zinxhirore duke i dhënë një përkrahje prodhuesve vendor, si dhe ruajtjen dhe rritjen e të punësuarve.
“Ne duke analizuar edhe veprimet e shteteve të ndryshme, qoftë në rajon apo në Bashkimin Evropian, kemi kërkuar që kjo shumë rreth 100 milionë euro, të mos ndahet në paga apo në pensione te qytetarët, por kjo të bëhet në formë të bonave, meqenëse me këto bona të kenë mundësi qytetarët të blejnë produkte vendore. Në këtë mënyrë do të ndihmoheshin edhe qytetarët për blerje vetëm të produkteve dhe jo gjëra të tjera. Kështu do të ndihmoheshin edhe bizneset, si dhe punëtorët e sekorit privat ose prodhuesit tanë nga të cilët varen të hyrat e shtetit…03’08 Absolutisht nuk është e mjaftueshme, edhe shtetet e ndryshme gjatë gjithë kohës kanë reaguar në forma të ndryshme, në mënyrë që të ketë qarkullim më të madh të parave për qytetarët dhe bizneset dhe në këtë mënyrë bizneset të kenë mundësi t’i mbajnë punëtorët, por edhe qytetarët të mbijetojnë, marrë parasysh rritjen e çmimeve të mëdha që kanë ndodhur kohën e fundit”, thotë ai.
“Lidhur me këtë, ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, nga kryeministri Kurti që të ulet TVSh-ja në ushqim, nga 18 përqind në 5 përqind, ndërsa TVSh-ja në produkte esenciale nga 8 përqind të jetë për gjashtë muaj zero, në mënyrë që të ndihmohen bizneset, punëtorët dhe qytetarët që ta kalojnë sa më lehtë këtë kriza të madhe, sepse kemi të bëjmë me një inflacion shumë të madh, krahasuar me vitet e kaluara. Pra kemi rritje të inflacionit dhe rritje të çmimeve për naftë, për ushqime dhe nuk kemi rritje të pagave e as rritje të qarkullimit të shumica e bizneseve”, shprehet ai.
Ndëkrohë, Kuvendi të enjten, më 5 maj, do ta shqyrtojë projektligjin për pagën minimale. E krahas rritjes së pagës minimale në 250 euro neto, Krasniqi thotë në një intervistë për KosovaPress, se paga duhet të jetë e kategorizuar në bazë të profesioneve dhe shkollimit.
Sa i përket rritjes ekonomike, Krasniqi thotë se rritja ekonomike mbi 10 përqind në vitin 2021, nuk ka reflektuar në rritjen e punësimit dhe në mirëqenien e qytetarëve.
Teksa shton se mungesa e vullnetit të qeverisë e ka vështirësuar klimën e të bërit biznes.
Rritja e çmimeve po i sfidon edhe bizneset në përmbushjen e kontratave me institucionet publike.
Sipas Krasniqit, disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj institucioneve të shtetit, përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Oda e Afarizmit që të rishikohen kontratat për furnizime.
“Ne si Odë e Afarizmit kemi kërkuar edhe nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës që të bëjë rishikimin e marrëveshjeve të mëhershme në mes të biznesit dhe institucioneve të shtetit për furnizim, qoftë për ushqim, dhe materialeve të ndryshme për komuna apo të qeverisë. Arsye kryesore është që me fillimin e pandemisë çmimet kanë ndryshuar dhe bizneset e kanë të pamundur t’i furnizojnë institucionet e Kosovës, spitalet, ushtrinë dhe policinë me ushqim dhe me pajisje të tjera me çmimet aktuale. Ne kemi kërkuar që të bëhet rishikimi, sepse të gjitha vendet kanë bërë rishikimin në bazë të ndryshimit të çmimeve. Kemi kërkuar nga qeveria, por nuk kemi përgjigje as në këtë drejtim. Thjesht Kosova po rrezikon të ketë ndërprerje të furnizimit me ushqim për spitalet, për ushtrinë për policinë për shkak të pamundësisë së bizneseve që t’i bëjë këto furnizime me çmime të njëjta si rezultat i ndryshimeve të mëdha. Disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj shtetit për shkak të mos ndryshimeve edhe përkundër kërkesave. Ne kemi kërkuar edhe takim urgjent, por jemi në pritje dhe nuk kemi marrë përgjigje ende të drejtpërdrejt”, thotë ai.
Ndër të tjera kreu i Odës ka ngritur edhe mungesën e komunikimit të qeverisë me bizneset, për çka thotë se ka një stagnim.
Javë në parë, qeveria mori vendim për dyfishim të asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtorët e sektorit publik dhe 100 euro për 80 mijë studentët.
Deri tash këto mjete nuk janë shpërndarë për punëtorët e sektorit privat dhe studentët.