Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë vëmendjes ndaj bujqve, e cila deri tani nuk e ka analizuar situatën siç duhet por vetëm ka improvizuar, pa pasur planifikim afatmesëm.
Krasniqi bashkë me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka vizituar sot Organizatën "Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës" ku kanë bashkëbiseduar me fermerë të kësaj komune për sfidat e tyre dhe mungesën e mbështetjes nga Qeveria e Kosovës.
"Është e jashtëzakonshme që kemi tashmë organizata joqeveritare si IADK që u mundëson një numri të madh të të interesuarve që të aftësohen dhe trajnohen profesionalisht në fusha të ndryshme në përpunimin e pemëve, perimeve, qumështit", tha Krasniqi.
Ai tregoi se gjatë takimit u diskutua për vështirësitë me të cilat përballen fermerët e Vushtrrisë.
Krasniqi u shpreh tejet mirënjohës për punën e IADK-së premtoi se PDK si lidere e opozitës do të vazhdojë të angazhohet për të qenë zë i interesave të bujqve.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se është i përkushtuar për t'i ndihmuar fermerët e kësaj komune që janë punëtorë të pandalshëm.
Krahas kësaj, ai tha se po i subvencionojnë me pagesa direkte edhe fermerët tjerë dhe blegtorët.
Ndërsa, Zenel Bunjaku, drejtor i Organizatës Iniciativa për zhvillimin e bujqësisë së Kosovës, tha se deri tani janë marrë parasysh të gjitha propozimet dhe iniciativat e Organizatës IADK-së në Vushtrri.