Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është deklaruar lidhur me vendimin e këtij institucioni për vendosjen e kamerave në vendvotime për procesin e votimit më 21 prill në komunat e veriut të Kosovës apo në proceset e ardhshme zgjedhore. Ndërsa, është sqaruar edhe çështja e krijimit të Listës Votuese.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi lidhur me këtë çështje ka thënë se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore. Sipas Elezit, vendosja kamerave në vendvotime do të bëhet në atë mënyrë që do të ruajë fshehtësinë e votës dhe se ky vendim nga KQZ është marrë me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotime.
Ai ka thënë se KQZ ka ndjekur rrugën kushtetuese dhe ligjore për krijimin e Listës së Votuesve.
KQZ ka sqaruar edhe dilemat e ngritura në opinion se në këto komuna numri i banorëve rezidentë është më i ulët në krahasim me numrin e votuesve. Ndërkaq, mbledhja e KQZ-së e paraparë për sot, është shtyrë për një ditë tjetër derisa disa çështje të jenë të gatshme.