KQZ shpërndan broshura informuese për procesin e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) prej disa javësh ka filluar me kampanjë informuese për qytetarët e Kosovës, meqë shumë shpejtë do të bëhet e ditur edhe data e mbajtjes së procesit zgjedhor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për media tha se po shpërndajnë broshura informuese për procesin e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës.
"Meqenëse jemi në një periudhë në prag të fillimit të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, pasi së shpejti pritet edhe të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, prej disa javëve Komisioni i Zgjedhjeve ka filluar me disa kampanja informuese për qytetarët e Republikës së Kosovës. Pasi ditë më parë kemi filluar fushatën informuese për disa nga ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, sot kemi filluar kampanjën tjetër informuese. Së bashku me kolegët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po shpërndajmë broshura informuese për procesin e regjistrimit dhe votimit jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Elezi potencoi se përmes shpërndarjes së këtyre broshurave për mërgimtarët, ata do të mund të informohen se si do të realizohet procesi i votimit jashtë Kosovës.
Ai tha se këto fletushka dhe broshura po shpërndahen në aeroportin “Adem Jashari” dhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës.
Të enjten, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se shumë shpejtë do të bëhet e ditur data se kur do të mbahet zgjedhjet në Kosovë.