Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që ta mësojnë qendrën e tyre të votimit duke vizituar platformën elektronike të KQZ-së, http://qv.kqz-ks.org.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se përmes kësaj platforme qytetarët do të mund ta ndryshojnë përmes telefonit qendrën e votimit brenda komunës së tyre, duke e caktuar sa më afër vendbanimit të tyre.
“Deri më 26 dhjetor 2024, çdo qytetar me të drejtë vote nëse dëshiron që ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës dhe ta caktojë atë sa më afër vendbanimit të tij, mund ta bëjë përmes platformës elektronike: http://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, në komunën përkatëse të votuesit. Në platformën elektronike është e mjaftueshme që votuesi të shënojë numrin e tij të identifikimit dhe datëlindjen, dhe menjëherë do të shfaqen të dhënat për qendrën aktuale të votimit. Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë qendrën e votimit brenda komunës, duke e caktuar atë sa më afër vendbanimit të tij, mund të paraqesë kërkesën e tij përmes kësaj platforme dhe pasi kërkesa do të shqyrtohet nga KQZ, brenda një kohe të shpejtë do të marrë përgjigje”, theksoi Elezi.
Elezi ka theksuar se brenda 100 ditëve që nga fillimi i periudhës së aplikimit, janë regjistruar më shumë se 25 mijë votues jashtë Kosovës.Elezi ka paraqitur edhe të dhënat e fundit, sipas të cilave me mijëra qytetarë kanë shfrytëzuar platformën elektronike që të paraqesin online kërkesën e tyre për ndërrimin e qendrës së votimit.
Ai tha se nga fillimi i kësaj periudhe, 29 gusht deri më tani, KQZ ka pranuar 2 mijë 475 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit.