KPK reagon për kërcënimin ndaj prokurores Disha-Haxhosaj
Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon ashpër kërcënimin e bërë gjatë ditës së djeshme ndaj prokurores së Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, me anë të publikimit përmes rrjeteve sociale të një afisheje me përmbajtje mortore.
Në njoftim thuhet se ky akt i shëmtuar, për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe tërësisht për sistemin prokurorial, është një akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm, andaj KPK-ja bënë me dije se qëndron fuqishëm në përkrahje të prokurores Valbona Disha-Haxhosaj dhe ofron mbështetje të plotë për punën e saj gjatë ushtrimit të funksionit në ndjekjen e kryeseve të veprave penale.
“KPK-ja, njofton se janë duke u ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personit/ave, të cilët kanë vendosur këtë lajmërim të paskrupullt dhe të njëjtit do të dalin para organeve të drejtësisë dhe se institucionet e Prokurorit të Shtetit janë duke u trajtuar seriozisht këtë veprim penal dhe në nivelin e duhur të hetimit dhe të ndjekjes gjer në ndriçimin e plotë të tij, i cili ka për qëllim pengimin në ushtrimin e funksionit dhe detyrave të saja kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se KPK-ja, siguron opinionin publik se kërcënimet dhe shantazhet e tilla dhe veprime të tjera, çfarëdo qofshin ato, që bëhen ndaj prokurorëve të shtetit, nuk do t’i zmbrapsin synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor, në të cilin respektohen vetëm parimet e drejtësisë.