Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar raportin vjetor të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, në të cilën janë treguar sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni përgjatë vitit 2023.
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Jeton Mehmeti derisa ka bërë prezantimin e raportit, ka thënë se është ndjerë i lënduar pas fjalëve të disa deputetëve që të njëjtit kanë dashur t’i ikin raportimit. Derisa ka shtuar se janë i vetmi bord i drejtoreve në një ndërmarrje publike që japin llogari publikisht në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, mos të ishte kriza energjetike dhe përgjegjësia e padrejtë për veriun, do të kishte akoma më shumë rezultate.
Ndërsa ka shtuar se si rezultat i përkushtimit maksimal është arritur që të bëhet operacionalzimi i furnizuesit të ri në veri, që i ka lejuar KOSTT-it të largojë barrën dhe përgjegjësinë e balancimit në pjesën veriore, për të cilën tha se menjëherë pas heqjes së këtij obligimi vërehen rezultate pozitive.
Kryeshefi ekzekutiv, Evetar Zeqiri ka thënë se të hyrat nga tarifat ka qenë 92 milionë, derisa ka thënë se 91 për qind e tyre është shpenzuar.
Ndërsa, deputetja Bunjaku-Rexhepi ka treguar edhe për një adresë që i ka ardhur nga ish ushtruesja e detyrës, siç tha ajo, në vend të saj është emëruar një person që nuk ka licence të prokurimit themelore apo të avancuar.
Rexhepi-Bunjaku është shprehur se kjo ndërmarrje ka hap konkurs për shef të kabinetit sikur të ishte ministri KOSTT-it.
Derisa Zeqiri ka thënë se operojnë në një ambient tejet të rregulluar ku të gjitha të hyrat aprovohen prej Zyrës së rregullatorit.
“Këtu kam një raport të zyrës kombëtare të auditimit ku është një opinion i kualifikuar që ju e dini e nuk kam nevojë t’iu sqaroj. Këtu kam që shembull janë pesë çështje që ka gjet nga auditimi i Zyrës Kombëtare...KOSTT kishte nënshkruar kontratë me një operator ekonomik pronar i të cilit kishte ofertuar me dy biznese në të njëjtën procedurë të prokurimit, çka është kjo, dua sqarim nga këto të gjetura”, tha ai.
Për dallim nga opozita, pozita vazhdon të mburret me punën e kësaj ndërmarrje. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Kosova merret si shembull në menaxhimin e krizës energjetike me koston me të ulët nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor..