Një familje nga Prizreni nuk po arrin që t’i marrë 1500 euro në emër të subvencioneve qeveritare për anëtaren e familjes së tyre që vdiq nga COVID-19 në Maqedoni të Veriut.
Përfaqësuesi ligjor i kësaj familje, Gent Gjini thotë për KosovaPress, se skandali i qeverisë me subvencionet e COVID-19, është diskriminues për qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, absurdi në këtë rast qëndron se fletlëshimi për diagnostikimin me virus Covid-19, është bërë nga Spitali i Prizrenit, e aq më tepër duke ditur që e njëjta ka qenë shtetase e Kosovës, ka pasur letërnjoftimin e shtetit të Kosovës, dhe aq më tepër infektimin me sëmundjen Covid-19, e ka marrë brenda shtetit të Kosovës.
Andaj avokati Gjini thotë se mu për këtë çështje do angazhohen për t’i përdorur mekanizmat ligjore si padinë civile, ashtu edhe kallëzimin penal për shkelje të ligjit penal për diskriminim, për mostrajtim të barabartë të qytetarëve të Kosovës. Ai thotë se do të njoftohet edhe institucioni i Avokatit të Popullit, për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.